"Ti, Shqipëri më Jep Nder, më jep emrin Shqipëtar"  Naim Frashëri

MISIONI YNË

Organizata ‘’World Albanian Congress WAC’’ është një organizatë ndërkombëtare atdhetare shqiptare me anëtarësi, jofitimprurëse, jopolitike, jofetare, e cila funksionon si një bashkim vullnetar, si një besëlidhje atdhetare dhe vëllazërore e shqiptarëve anëmbanë botës, e cila ka për qëllime dhe objektiva kryesore:

1. Përbashkimi vëllazëror shqiptar. Shqiptarët nga mërgata dhe nga të gjitha trevat shqiptare do të mbeten në historinë tonë kombëtare pasi do të mund t’i tregojnë historisë dhe botës se duan dhe dinë të përbashkohen vëllazërisht me maturi, inteligjencë, disiplinë, pozitivitet dhe kontribut për sigurinë, zhvillimin dhe trashëgiminë e kombit të tyre, si një komb autokton dhe i stërlashtë në trojet e Shqiptarisë. Pjesëmarrja e tyre si delegat me të gjithë mënyrat dhe kontributet e tyre farkëton në histori ’’Shqiptarinë’’.

 

2. Detyra ndaj atdheut. Në bazë të arritjeve profesionale dhe akademike, eksperiencave tona në botën e zhvilluar, si dhe historisë tonë kombëtare, pjesëmarrësit të mund të ofrojnë zgjidhje dhe ide konkrete për shumë çështje, që të drejtojnë drejt zgjidhjes së krizës në Shqiptarinë sot.

3. Krijimi dhe themelimi i ’’Qeverisë së Mërgatës dhe Atdhetarëve Shqiptar’’.

Do të themelohet simbolikisht një organizëm ndërkombëtar shqiptar, që ne e kemi quajtur Qeveria e Mërgatës dhe Atdhetarëve Shqiptar (Qeveri simbol, jo paralelisht me qeveritë e Shqiptarisë) si një strukturë atdhetare simbol, jo paralelisht politike apo qeveritare me qeveritë kushtetuese të shteteve përkatëse Shqipëri dhe Kosovë, por si një qeveri përbashkimi vëllazëror në emër të kombit, ku marrin pjesë shqiptarët atdhetarë kudo në botë dhe në treva dhe luajnë rol vendimarrës (ekzekutiv) në përmbushjen e planeve, projekteve, ideve, qëllimeve dhe objektivave të kongresit dhe organizatës. 

 

4. Krijimin e Akademisë Ndërkombëtare Shqiptare të Historisë, Kulturës, Identitetit dhe Gjuhës Shqipe në mënyrë që të rishkruhet nga e para, denjësisht, me përgjegjësi, paanësi, vërtetësi, atdhedashuri, bashkëpunim dhe mbi të gjitha me shkencë historia e kombit shqiptar me 12 vëllime botimesh, duke i shërbyer në këtë mënyrë brezave dhe të ardhmes së kombit. Duhet mësuar e vërteta e asaj që ka ndodhur, në mënyrë që gabimet e së shkuarës mos të përsëriten më kurrë dhe duke synuar një herë e përgjithmonë ribashkimin e shqiptarëve në komb-ndërtim dhe jo përçarjen e tyre në mënyrë ekstreme dhe të polarizuar për shkak të bindjeve politike, ideologjike, krahinore, fetare etj..

 

5. Mbrojtjen, lobimin dhe garantimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve kudo, që ata jetojnë dhe punojnë anembanë botës dhe në trevat shqiptare nëpërmjet qeverive, parlamenteve, institucioneve apo organizatave të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe besimeve të tjera fetare në botë. Gjithashtu, organizata ka për synim tjetër të faktorizojmë rolin e shqiptarit dhe Shqiptarisë kudo në botë.

 

6. Të luftoj dhe të përballet nëpërmjet strukturave tona në botë me Anti-Albanizmin kudo dhe kurdo ky fenomen shfaqet si fenomen anti-humanist, anti-globalist, rracist dhe i padrejtë.

 

7. Organizata pas Kuvendit të Parë Botëror Shqiptar më datat 8, 9 dhe 10 maj 2020 në Prishtinë të marrë statusin konsultativ afatgjatë, zyrtar dhe ligjor brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara OKB (United Nations UN). Status ky i cili do të përdoret dhe shfrytëzohet më së miri për:

- të mbrojtur, lobuar dhe garantuar liritë dhe të drejtat e shqiptarëve kudo jetojnë dhe punojnë,

- denoncimin e padrejtësive historike, gjenocideve, masakrave, përndjekjeve, krimeve masive ndaj shqiptarëve,

- për të luftuar fenomenin paragjykues dhe të padrejtë Anti-Shqiptar,

- për ndihmë dhe asistencë informacioni zyrtar dhe shkencor në OKB, BE dhe organizata të tjera botërore në mënyrë që të ftojmë anëtarët e OKB të shohin, vlerësojnë e njohin deri në mbështetje konkrete të çështjeve shqiptare, të mbetura pezull, nën harresë dhe të pazgjidhura ose të zgjidhura padrejtësisht, siç ishte Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Bota të njoh të vërtetën historike dhe gabimet e së shkuarës nga vet fuqitë e mëdha, ku u dëmtuan rëndë identiteti ynë kombëtar dhe ku realisht u përgjysmuan territoret natyrale shqiptare si një padrejtësi ndaj një populli martir, të stërlashtë në trojet e veta.

8. Realizimin dhe investimin hap pas hapi, proçes pas proçesi i aspiratës dhe qëllimit kombëtar të shqiptarëve për bashkim në një Konfederatë Shqiptare të vetme, si një bashkim ekonomik dhe politik kombëtar të trevave shqiptare dhe vendeve të Shqiptarisë (Shqipërisë Natyrale/Etnike): Shqipëri, Kosovë, Çamëri, Malësi e Madhe, Sanxhakë, Lugina e Preshevës, trevën shqiptare të Maqedonisë.

 

9. Zëvendësimi tërësisht nga gjuhë të tjera në gjuhën tonë shqipe i të gjithë fjalëve, emërtimeve të rrugëve, shkollave, memorialeve, qyteteve, fshatrave, elementëve të natyrës si: bimëve, gjallesave, lumenjve, liqeneve, parqeve etj., apo emrave (toponimeve) të ndryshme etj.. Gjithashtu, nuk do të lejohen memoriale, përkujtimore dhe tubime kolektive anti-shqiptare sidomos në territor shqiptar, të cilat fyejnë dhe cënojnë rëndë historinë dhe identitetin tonë kombëtar.

 

10. <<Pajtimi i gjaqeve>> është një nga projektet madhore të organizatës duke u munduar të pajtoj dhe vëllazëroj shqiptarët mes njëri-tjetri dhe ta bëjnë këtë fli për Shqiptarinë, për fëmijët dhe brezat e ardhshëm.

 

11. Evidentimin dhe denoncimin moral dhe shoqëror të tradhëtarëve, vrasësve, pushtuesve dhe dëmtuesit e kombit shqiptar ndër shekuj deri më sot dhe në vazhdim.

 

12. Shfrytëzimi dhe zhvillimi i mëtejshëm duke investuar tek rrjeti i Akademive, Instituteve, Bilbliotekave si dhe Kinemave publike shqiptare në Shqiptari me ndihmën e mërgatës, qeverive përkatëse dhe jo vetëm, në mënyrë që të shërbejnë si ambjente funksionale për dijen, njohuritë moderne si ato të internetit dhe kompjuterave, argëtimit, kulturës duke i shërbyer të gjitha shtresave dhe grupmoshave, por me prioritet maksimal tëk fëmijët dhe të rinjtë.

 

13. Të gjitha meshat, praktikat, predikimet dhe ritualet fetare të çdo feje të mbahen dhe kryhen me patjetër në gjuhën shqipe. Harmonia fetare është një vlerë e kombit shqiptar dhe duhet të punojmë edhe më shumë në mënyrë që kjo vlere të ruhet ndër shekuj. Por e para është Shqiptaria dhe shqiptari.

 

14. ’’Qeveria e Mërgatës dhe Atdhetarëve Shqiptar’’ me anë të projekteve dhe investimeve strategjike dhe të herë pas hershme të ndihmoj, zhvilloj dhe shfrytëzoj potencialin e sektorit të bujqësisë, natyrës dhe turizmit në Shqiptari në nivele bashkëkohore. Të kryej marketing-un dhe lobimin e duhur profesional për të shijuar produktet shqiptare dhe për të vizituar bukuritë natyrore shqiptare.

 

15. Zbatimi i projektit tonë për punësimin dhe mbështetjen të të shumë llojeve nën frymën atdhetare, humaniste dhe pozitive ku shqiptari punëson shqiptarin si dhe shqiptari ndihmon shqiptarin në çdo rast e çdo kohë, në çdo vend të botës.

 

16. Themelimin e Këshillit të Lartë të Inteligjencës Shqiptare KLISH (SKY), si strukturë e veçantë e sigurisë, si akademi speciale dhe shkencore, inteligjence, informacioni dhe statistike për trajtimin, trajnimin dhe krijimin kurrikulave specifike të zhvillimit, të katedrave të kërkimit shkencor, bibliotekave bashkëkohore, zyrave të karrierës pranë secilit komunitet shqiptarësh në botë si dhe në menaxhimin e potencialit intelektual tërësisht shqiptar apo edhe si institucion me fuqi në kontrollin dhe raportimin e çështjeve konkrete pranë institucioneve përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

17. Krijimin e një institucioni financiar si <<Fondi Ndërkombëtar Bankar Shqiptar>> me kapital tërësisht shqiptar. Ky institucion ndërkombëtar financiar shqiptar të ketë fonde dhe investime konkrete për zhvillimin dhe mirëqënien e Shqiptarisë, por edhe të shërbej si një institucion bankar tërësisht shqiptar i sigurtë.

 

18. T’i shërbejmë dhe të ndihmojmë financiarisht dhe juridikisht shqiptarët kudo në kohë reale nëpërmjet ambasadave të shteteve shqiptare në vende të ndryshme të botës por edhe strukturave tona të inteligjencës dhe atyre atdhetare.

 

19. Të ndihmoj për një shtet të së drejtës, për një drejtësi shoqërore, për një mirëqënie kombëtare, arsimimin dhe edukimin e brezave, në ndihmën kulturore, sociale, psikologjike, shëndetësore, financiare për të përmirësuar jetën e shqiptarëve dhe të rinjve shqiptarë kudo ku jetojnë, sidomos shqiptarët që jetojnë në trevat e Shqiptarisë.

 

20. Nëpërmjet programeve, influencës ndërkombëtare, aktiviteteve dhe projekteve të saj të herë pas hershme, organizata të kontriboj direkt në proçesin e integrimit të Shqipërisë, Kosovës dhe trevave shqiptare në Bashkimin Europian dhe strukturat Euro-Atlantike.

 

21. Mbrojtjen e çështjeve kombëtare dhe atdhetare, duke mbajtur një qëndrim zyrtar për çdo abuzim mbi simbolet dhe vlerat tona kombëtare si dhe ndaj shfaqjeve raciste kundër popullit shqiptar.

 

22. Përbashkimi, idealet e përbashkëta kombëtare, vëllazërimi, pozitiviteti, atdhedashuria dhe respekti për njëri-tjetrin si shqiptar, ndjenjat humaniste, altruizmi me bazë kombin, dashuria dhe respekti për gjuhën e shenjtë dhe të lashtë shqipe, respektimi i besimit fetar të tjetrit, respektimi i përkatësisë gjinore, statusit social, moshës, atdhedashuria si dhe mbrojtja e atdheut në çdo rast, po ashtu vlerësimi dhe njohja e mirë e historisë sonë kombëtare, trashëgimia e Shqiptarisë brez pas brezi, respekti dhe mikëpritja e mikut si dhe besa janë disa prej vlerave që janë pjesë e qëllimeve në vetvete të World Albanian Congress, besëlidhjes vëllazërore shqiptare.

 

Këto qëllime dhe objektiva janë propozime të organizatës World Albanian Congress dhe do të jenë vetëm këto, por do të jenë edhe propozimet dhe programet e shoqatave, atdhetarëve, akademikëve dhe vullnetit të delegatëve, të cilët do të marrin pjesë në Kongres dhe do të kenë të drejtë vote.

 

Gjithashtu, këto qëllime dhe objektiva, por edhe ato që rrjedhin nga këto mësipër do të realizohen dhe garantohen nga organizata nëpërmjet bashkëpunimit me Qeverinë e Mërgatës dhe Atdhetarëve Shqiptar përmes programeve, projekteve, aktiviteteve, planeve dhe veprimtarive të tjera që mbështeten në pjesëmarrjen dhe përfshirjen e të gjithë shqiptarëve dhe organizatave të tyre kudo që janë si dhe në bashkëpunim me institucione të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare të përfshira në këtë proçes madhor dhe historik për shqiptarët dhe Shqiptarinë si dhe proçeset integruese të vendeve të Shqiptarisë.

World Albanian Congress
THE ALBANIAN DIASPORA GOVERNMENT

 

DHURO PËR SHQIPTARI!

Na ndiqni

  • Facebook
  • YouTube
  • Twitter
  • Instagram

© 2020 by World Albanian Congress. All Rights Reserved.